11/05/2026
Ka libra që lexohen shpejt dhe harrohen po aq shpejt, por ka edhe libra që lënë gjurmë në mendje dhe në zemër. Për mua, një nga këta libra është Fabrikanti i Lotëve, nga Erin Doom. Që nga faqet e para, ky libër më tërhoqi me atmosferën e tij të ndjeshme, me personazhet e plagosur nga e kaluara dhe me mënyrën se si dhimbja shndërrohet ngadalë në shpresë.
Historia flet për Nikën dhe Rigelin, dy të rinj që janë rritur në një jetimore të ftohtë, ku dashuria dhe ngrohtësia mungonin. Të dy mbajnë plagë të padukshme, kujtime të vështira dhe frikëra që i ndjekin. Megjithatë, kur jeta i bashkon sërish, ata duhet të përballen jo vetëm me botën, por edhe me veten. Pikërisht kjo më bëri të mendoj shumë: shpesh njerëzit që duken të fortë janë ata që kanë vuajtur më shumë.
Ajo që më pëlqeu më tepër në këtë libër është mënyra si autorja përshkruan emocionet njerëzore. Çdo ndjenjë duket reale: vetmia, zemërimi, xhelozia, por mbi të gjitha dëshira për t’u ndjerë i dashur. Gjatë leximit ndjeva sikur personazhet nuk ishin thjesht figura të krijuara, por njerëz të vërtetë me të cilët mund të empatizoja. Në disa momente u trishtova, në disa të tjera u gëzova, sepse libri të fut thellë në botën e tyre.
Titulli “Fabrikanti i Lotëve” ka një kuptim të veçantë. Ai të kujton se lotët nuk lindin pa arsye. Pas çdo loti fshihet një histori, një plagë, një humbje ose një ndjenjë e fortë. Por libri tregon edhe diçka tjetër të rëndësishme: njeriu nuk është i dënuar të mbetet përgjithmonë në dhimbje. Edhe pas errësirës mund të vijë drita.
Mendoj se ky libër duhet lexuar nga bashkëmoshatarët e mi, sepse trajton tema që i prekin shumë të rinjtë: vetbesimi, pranimi, plagët emocionale dhe rëndësinë e dashurisë së sinqertë. Ai na mëson të mos gjykojmë askënd nga pamja e jashtme, sepse secili mban beteja të fshehta. Na mëson gjithashtu se të duash do të thotë ta pranosh më të mirën dhe më plagët e tij.
Në përfundim të librit, mbeta gjatë duke menduar për personazhet dhe për mesazhin që përcjell. Për mua Fabrikanti i Lotëve nuk është vetëm një histori dashurie, por një rrëfim për shërimin e shpirtit dhe fuqinë e ndjenjave të vërteta. Është një libër që të prek, të emocionon dhe të kujton se edhe zemrat më të thyera mund të mësojnë të rrahin sërish me shpresë.
Fjoralba Xheladini Fituese e konkursit “Jam Leximtar” 2026
Shkolla “Kamza e Re”